Bypass-i i Tiranës nis faza III, projekti që lidh autostradën Tiranë-Durrës me atë Tiranë-Elbasan
Kanë nisur punimet për fazën e tretë të bypass-it të Tiranës, që do të lidhë aksin e ri me autostradën Tiranë–Durrës në zonën e Kasharit.

Projekti i përgjithshëm, me gjatësi rreth 21.6 kilometra, synon të lidhë autostradat Tiranë–Durrës dhe Tiranë–Elbasan, duke devijuar trafikun tranzit jashtë kryeqytetit.
Kanë nisur punimet për fazën e tretë të bypass-it të Tiranës, e cila do të mundësojë lidhjen e rrugës së re me autostradën Tiranë–Durrës në zonën e Kasharit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri me dije se, pas mobilizimit në kantier dhe piketimit të projektit, aktualisht po kryhen gërmimet për formimin e trupit të rrugës.
Kjo fazë përfshin ndërtimin e 1 kilometri autostradë, rreth 5 kilometrave rrugë dytësore dhe një nyjeje rrugore me dy rrethrrotullime.
Nyja do të mundësojë lidhjen me rrjetin rrugor ekzistues, ndërsa rrugët dytësore do të përmirësojnë aksesin për banorët e zonave përreth.
Faza e tretë, investim prej 1.38 miliardë lekësh
Në tetor, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituese të tenderit kompaninë “Elmazaj Konstruksion”, me një ofertë prej rreth 1.38 miliardë lekësh. Fondi limit i procedurës ishte rreth 1.55 miliardë lekë.
Paralelisht me këtë fazë të re, po punohet edhe në dy fazat e para të bypass-it, të cilat shtrihen në një gjatësi prej 8.2 kilometrash dhe përfaqësojnë një investim prej rreth 5.9 miliardë lekësh.
Bypass-i 21.6 kilometra do të lidhë dy autostradat kryesore
Në tërësi, bypass-i i Tiranës parashikohet të shtrihet në rreth 21.6 kilometra, duke lidhur autostradën Tiranë–Durrës me atë Tiranë–Elbasan.
Projekti është konceptuar si një autostradë e kategorisë A, me dy korsi për secilin drejtim lëvizjeje, shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë dhe katër nyje kryesore lidhëse përgjatë gjurmës.
Dokumentacioni teknik parashikon gjithashtu ndërtimin e urave, mbikalimeve, nënkalimeve dhe rrugëve lokale, për të mundësuar lidhjen me zonat që përshkohen nga aksi i ri dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore.
Bypass-i i Tiranës synon të devijojë trafikun tranzit jashtë kryeqytetit, duke u krijuar automjeteve që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit një alternativë për të shmangur kalimin nëpër Tiranë.
Burimi: Scantv
Më të lexuarat






k.jpg)